Mbahet mbrëmja e maturës e gjeneratës së 45–të të medresesë Alauddin

Lajme dhe aktivitete-Uncategorized

Në këtë vit medreseja Alauddin e Prishtinës përcjell gjeneratën e saj të 45 – të. Pikërisht sot më 17.05.2012 në amfiteatrin e shkollës u mbajt mbrëmja e maturës së kësaj gjenerate.

Mbrëmja filloi në ora 18:00 në të cilën ishin ftuar mjaft mysafir. Nga Kryesia e Bashkësisë Islame në këtë mbrëmje matureje morën pjesë prof. Resul Rexhepi dhe prof. Vedat Sahiti.

Të ftuar ishin i tërë stafi punonjës i medresesë së Prishtinë dhe profesorë që dikur kishin qenë mësimdhënës të kësaj gjenerate.

Programi siç edhe e do rendi filloi me ajete kuranore të cilat i këndoi nxënësi maturant Valdet Gashi. Programin e udhëhoqi Qëndrim Krasniqi.

Me fjalë përshëndetës filloi drejtori i medresesë z. Bahri Simnica i cili falënderoi gjeneratën për korrektësinë punën dhe angazhimin e bërë.  Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës foli prof. Resul Regjepi i cili pos përshëndetjeve dhe urimeve të përzemërta e lutjeve për sukses shprehi përkrahjen e parezervë të Kryesisë së Bashkësisë Islame për medresenë dhe për nxënësit e saj.

Kujdestari prof. Driton Arifi pasi bëri një pasqyrë të shkurtër të punës me këtë gjeneratë, nga zemra falënderoi nxënësit për bashkëpunimin e tyre dhe korrektësinë e tyre me këdo në shkollë. Falënderimi për këtë sukses i takon Allahut, pastaj merita për këtë sukses padyshim është e përbashkët, sepse vetëm me punë të mirëfilltë kolektive mund të arrihet sukses i kënaqshëm.

Prof. Rrahim Aliu si kujdestar nderi përshëndeti nxënësit maturantë duke iu uruar shumë suksese dhe mirësi në jetë.

Prof. Ekrem Simnica me pamundësi për të qënë në këtë mbrëmje për shkak të udhëtimit të tij jashtë vendit nxënësit maturantë i përshëndeti nëpërmjet një SMS të cilin publikisht të emër të tij e lexoi nxënësi Qëndrim Krasniqi.

Në emër të kryetarit shkollës foli nx. Liridon Zhegrova, kurse nx. Besar Miftari foli në emër të kryetarit të klasës.

Pas kësaj pjese oficiale pasoi darka e shijshme e cila tanimë është zakon i njohur i kuzhinës punëtore të medresesë.

Pas darkës  u fal namazi i akshamit në xhaminë e shkollës.

Pas namazit nxënësit shpërndanë dhuratat që kishin përgatitur për të gjithë mysafirët, për të vazhduar me pjesën artistike të programit.

Programi ishte i pasur me ilahi, skeçe dhe paraqitje në sllajde më projektor të momenteve interesante të kësaj gjenerate.

Medreseja Alauddin i uron çdo të mirë këtyre nxënësve maturantë duke e lutur të Madhin Allah të iu jap shumë suksese.

17.maj.2012

Prishtinë

Ndaje: