Medreseja Alaudin

Medreseja “Alauddin” merr pjesë në Konferencën KAIHLMUN ’16 në Stamboll

Lajme dhe aktivitete-Uncategorized

Prej 2-5 qershor 2016, në Stamboll u organizua Konferenca KAIHLMUN ’16, në të cilën morën pjesë më shumë se 200 nxënës dhe studentë nga mbarë bota. Organizator i konferencës ishte shkolla e mesme Istanbul Kartal Anadolu Imam Hatip Lisesi, në Kartall të Stambollit.

Medreseja “Alauddin” ishte e ftuara e vetme nga Kosova dhe Ballkani, e përfaqësuar nga nxënësit Blerim Murati (kl. 11), Amir Maxhuni (kl. 10), dhe Adl Rraci (kl. 10), si delegatë të Konferencës. Nxënësit pjesëmarrës nga organizatori u caktuan të jenë përfaqësues të Shtetit të Palestinës, Amnesty International, dhe Anadolu Agency, pranë United Nations Security Council (Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara). Paraqitja e tyre u vlerësua e suksesshme në Konferencë. Ata u shoqëruan nga profesori i gjuhës angleze Xhevdet Rusinovci,  i cili ishte i emëruar si këshilltar i konferencës. Gjuha zyrtare e konferences ishte gjuha angleze kurse  motoja e konferences ishte: “Change the Change” (“Ndrysho Ndryshimin”).

Konferencat MUN (Model United Nations) që organizohen në shumë vende të botës kanë për qëllim që nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët t’i vendosin në tryeza diskutimi dhe debati, duke simuluar mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë reale, duke përfaqësuar vendet anëtare të OKB-së dhe duke shprehur qëndrimet e tyre karshi temave globale, politike, ekonomike, sociale etj.

Këto konferenca synojnë që nxënësve dhe studentëve t’u japin mundësi të mësojnë për organizimin dhe funksionimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të fitojnë shkathësi komunikimi, diskutimi e debati, dhe të mësojnë për kulturën, tolerancën dhe bashkëpunimin në mes vendeve të ndryshme.

Konferenca KAIHLMUN ’16 ishte e mjaft e pasur në formë dhe përmbajtje, me program edukativ dhe dëfryes, me shëtitje dhe përvoja të paharruara.

Medreseja “Alauddin” përzemërsisht e falënderon organizatorin për ftesën duke iu dëshiruar suksese të reja në eventet e radhës.

Ndaje: