Dje, më 14.05.2013, Medreseja pati mysafirë të vecantë: Zonjën Kelly Degnan, zëvendës Ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, e cila ishte e shoqëruar nga z. Paul Engelstad, Zyrtar për Marrëdhënie me Publikun.
Fillimisht musafirët u pritën nga drejtori i Medresesë z. Bahri Simnica, i cili iu shprehi mirëseardhje dhe i falënderoi për vizitën. “Kemi një nder të vecantë për këtë vizitë që na bëni sot…” – iu drejtua drejtori, …”dhe kjo është një vazhdimësi e miqësisë së kahershme. Ne vazhdimisht na vizitojnë delegacione të ndryshme nga shteti juaj, dhe ne jemi të lumtur që kemi mundësi që të këmbejmë ide dhe përvoja”.
Në vazhdim, zv/Ambasadorja, e përcjellur nga drejtori, u njoftua me stafin arsimor të medresesë, me të cilët bashkëbisedoi lidhur me rolin e tyre në edukimin e brezit të ri. Më pas, ajo vizitoi dorëshkrimet e vjetra të cilat ruhen në një kabinet të vecantë, të ndara dhe të sistemuara mirë. Musafirët u mahnitën nga lashtësia e këtyre dorëshkrimeve si dhe nga përkushtimi i ruajtjes së tyre. Drejtori edhe njëherë iu falënderua zonjës Degnan për donacionin e dhuruar në vitin 2003 nga Ambasada Amerikane për tubimin e këtyre dorëshkrimeve.
Ashtu sic ishte planifikuar, zonja zv/Ambasadore kaloi në kabinetin e gjuhëve të huaja, ku e priste klasa 12/1 me aktivitetin e përgatitur më pare në lëndën e gjuhës angleze: “Empower the Youth”. Nxënësit ishin të ndarë në katër grupe, ku secili grup kishte përgatitur një prezantim të shkurtër për: EDUCATE, ENGAGE, ENCOURAGE dhe EMPOWER.
Për të përfunduar, zonja Degnan doli para nxënësve dhe shprehu admirimin e saj për zellin e këtyre të rinjve dhe nivelin e kënaqshëm të gjuhës angleze. Zonja Degnan tha se “aktivitetit tuaj do t’i shtoja edhe fjalën ENTUZIAZËM. Vërtet, të rinjtë duhet të arsimohen dhe edukohen, duhet të angazhohen dhe të përkrahen, mbi të gjitha duhet që të jenë entuziastë. Vendi juaj shquhet për popullatë të re: një përqindje shumë e madhe është nën moshën 25 vjecare, dhe kjo ju bën juve të rinjve energjia kryesore drejt së ardhmes. Arsimohuni mirë dhe drejt dhe jini entuziastë. Do të keni ardhmëri të ndritur”. Ishin këto disa nga cështjet të cilat me elegancë i preku zonja Degnan. Në fund, nxënësit e klasës 12/1 kishin përgatitur një dhuratë modeste (një portret nga piktori i mirënjohur kosovar Veli Blakqori) për zonjën Degnan. Ndërsa, profesori i gjuhës arabe z. Fadil Hasani, i dhuroi z. Paul Engelstad një punim nga një aktivitet i mëhershëm nga lënda e gjuhës arabe.
Ky ishte përfundimi i një vizite shumë të suksesshme të një përfaqësueseje kaq të lartë të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë.