Z. Christoph Deißenberger nga Ambasada Gjermane viziton medresenë

Lajme dhe aktivitete-Uncategorized

Medreseja Alauddin në Prishtinë pati rastin që të ketë musafir të nderuar z. Christoph Deißenberger, Referent për Politikë, Kulturë dhe Shtyp në Ambasadën Gjermane.

Musafirët i priti drejtori i medesesë z. Bahri Simnica i cili i njoftoi për medresenë, statusin e saj lëndët mësimore dhe kurrikulat me të cilat punon.

Me rastin e kësaj vizite z. Christoph Deißenberger me ekipin e tij pati rastin që të prezantoj në një orë mësimi në lëndën e gjuhës arabe të udhëhequr nga profesori i kësaj lënde prof. Fadil Hasani. Ora u mbajt në kabinetin e gjuhëve me metodë bashkëkohore dhe paisje moderne kompjuterike që disponon kjo shkollë.

Z. Deißenberger mbajti një ligjëratë me rëndësi të veçantë për nxënësit e shkollës sonë.

Ligjëratën e tij e filloi duke paraqitur para nxënësve një pasqyrë të shkurtër të sistemit arsimor në Gjermani. Nxënësve iu bë e njohur se sistemi arsimor në Gjermani organizohet i pavarur dhe ndryshon nga federata në federatë. Shkollat janë në tri kategori: Shkolla e thjeshtë ( përgatitë fuqi punëtore), shkolla mesatare ( përgatitë nxënës që duan të ndjekin shkolla të larta profesionale – jo universitete) dhe gjimnazi – shkolla në e lartë e shkollimit të mesëm që përgatitë nxënës që zakonisht vazhdojnë me studime universitare.

Në vazhdim u fol për mësimin e religjionit në Gjermani. U mësua se lënda fetare mësohet nëpër shkollat e Gjermanisë dhe është e vetmja lëndë mësimore e cila është e përmendur në ligjin e Gjermanisë si lëndë obligative  me përjashtim të shkollave laike. Në Gjermani mësohet lënda e fesë Katolike dhe Evengjeliste (Protestante)

Z.Deißenberger përmendi se shteti gjerman domosdo dëshiron të sigurohet që edukimi të zhvillohet në mënyrë të drejtë. Aktualisht ka diskutime për të ofruar mësim edhe të fesë islame në rajonet e banuara me shumë muslimane. Por në mungesë së një autoriteti institucional përfaqësues i cili do të merrej me kurrikulat dhe implementimin e tyre kjo çështje mbetet ende e parealizuar.

Sa i përket Islamit në Gjermani u mësua se afër 3 milion mysliman jetojnë aktualisht në këtë shtet të cilët përbëjnë 4 % të popullatës së përgjithshme. Besimi në Gjermani ka këtë strukturë: 1/3 katolik, 1/3 evangjelist dhe 1/3 laik.

Bartja e shamisë për nxënëset myslimane dhe studentet është e lejuar dhe këtë e garanton ligji gjerman. Më shumë diskutimi ka të bëjë me të drejtën e mësimdhënëses fetare për të bartur shaminë.

Pos tjerash nga ligjërata u mësua se në Gjermani nuk ka festa islame zyrtare të rregulluara me ligj, por nxënësit e besimit islam kanë të drejtë të marrin të lirë ditën e parë të dy festave të tyre fetare.

Në fund të ligjëratës z Deißenberger shpjegoi dhe ndau broshura me informata rreth bursave për të studiuar në Gjermani. Me këtë rast bibliotekës së shkollës i dhuroi disa libra rreth Gjermanisë.

Medrseja Aluddin falënderon z Deißenberger dhe stafin që ishte me të për kohën e tij të shtrenjtë që ndau me ne, me shpresë që vizita të tilla aq produktive do të ketë edhe në të ardhmen.

Kjo vizitë u realizua në bashkëpunim me Kryesinë e Bashkësisië Islame të Republikës së Kosovës, të cilën medreseja e falënderon për këtë bashkëpunim kaq produktiv.

11.11.2011 / Prishtinë

Ndaje: