Medreseja Alaudin

NË PARALELEN E PRIZRENIT PËRFUNDOI TRAJNIMI PËR SMART BOARDS

Lajme dhe aktivitete

NË PARALELEN E PRIZRENIT PËRFUNDOI TRAJNIMI I MËSIMDHËNËSVE PËR PËRDORIMIN E TABELAVE ELEKTRONIKE
Procesi i digjitalizimit të ShML “Medreseja Alauddin” u plotësua edhe në paralelen e ndarë fizike në Prizren. Para disa ditësh, kjo paralele u pajis me 7 tabela te mençura – Smart Boards -Samsung 65 inch që u dhuruan donacion nga disa prindër bamirës përmes Drejtorisë së ShML “Medreseja Alauddin” në Prishtinë.
Ndërsa sot, në ambientet e paraleles në Prizren u mbajt edhe trajnimi i mësimdhënësve për përdorimin e këtyre tabelave. Me një përvojë të konsiderueshme, trajneri prof. Imet Fejza, vuri në pah mënyrën e funksionimit të tabelave duke dhënë udhëzimet e nevojshme për një përdorim sa më racional dhe efektiv të tabelave të mençura.
Koordinatori Almedin Ejupi, pasi falënderoi trajnerin dhe kolegët, theksoi se tabelat elektronike, përveç që janë fjala e fundit e teknologjisë, tanimë janë realitet në shkollën tonë. Gjithashtu, ai nënvizoi se kjo risi teknologjike do të jetë një ndihmesë e rëndësishme në realizimin e qëllimeve të mësimdhënies dhe mësimnxënies gjatë procesit mësimor.
Koordinatori dhe stafi mësimdhënës u shprehën mjaft të lumtur dhe me këtë rast falënderuan donatorët dhe drejtorin e shkollës për përkujdesjen, mbarëvajtjen dhe avancimin e punës arsimore në paralelen e Prizrenit.
Drejtori i shkollës mr. Fadil Hasani uron punë të mbarë dhe arsim edhe më cilësor në paralelen e Prizrenit, sidomos tani pas vendosjes së tabelave të mençura dhe trajnimit të stafit mësimdhënës, si dhe pret angazhim dhe punë sa më të frytshme nga të gjithë, si nga mësimdhënësit njashtu edhe nga nxënësit.
Prizren, më 04 dhjetor 2021

Ndaje: