Stafi dhe nxënësit në Iftar në Rezidencën e Ambasadores së SHBA-ve në Prishtinë

Lajme dhe aktivitete-Uncategorized

Stafi i Medresesë të prirë nga Drejtori Bahri Simnica, Sekretari  Sylejman Osmani, prof. Jakup Çunaku, prof. Xhevdet Rusinovci, si dhe 12 nxenes të shkollës, dje më 25.07.2013 ishin të ftuar në Iftarin e organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tek Ambasadorja Tracey Ann Jacobson, në Rezidencën e saj në Prishtinë.

Zonja Jacobson dhe bashkëshorti i saj David, si dhe tërë stafi përcjellës ishin mikpritës të vërtetë në një darkë iftari, ku mbizotëroi gjallëria e bisedës, afërsia, respekti dhe prezantimi i kulturës së lartë amerikane.

Stafi i shkollës dhe nxënësit patën rastin që më për së afërmi të njoftohen me Ambasadoren dhe stafin e Ambasadës, duke diskutuar për çështje me interes dhe në favor të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës.

Zonja Ambasadore u shpreh të jetë e kënaqur për Iftarin e përbashkët dhe me një adresim të veçantë iu drejtua nxënësve duke shprehur kënaqësinë, pritjet dhe angazhimin e saj dhe të Ambasadës për të arritjet e deritashme dhe punës së përbashkët për një vend demokratik dhe me prosperitet.

Nga ana tjetër, Drejtori i shkollës Bahri Simnica e falënderoi Ambasadoren për ftesën, bashkëpunimin dhe ndihmën e pakursyer të Ambasadës dhe të shtetit amerikan për proceset e gjithëmbarshme në Kosovë. Në veçanti  Drejtori e falënderoi atë për bashkëpunimin e Ambasadës me Medresenë Alaudin, dhe përzemërsisht e ftoi për një vizitë Medresesë, në fillimin e vitit të ri shkollor. Zonja Ambasadore me kënaqësi e pranoi këtë ftesë dhe premtoi se shumë shpejt do të jetë në vizitë tek ne.

Iftari u përmbyll me një foto të përbashkët, në mënyrë që të vërtetojë dhe të ruajë në kujtesën e të gjithëve një Iftar të mrekullueshëm me mikpritës të mrekullueshëm.

Ndaje: