Medreseja Alaudin

Maturantët mbajnë hytben e tyre të fundit në medrese

Lajme dhe aktivitete-Uncategorized

Gjenerata e 45 – të e medresë së mesme Alauddin të Prishtinës, mbajti hytben e fundit të saj. Ishte një moment plot emocione dhe krenari e ndjenjë triumfi.

Në vijim teksti i plotë i kësaj hytbe xhumajeje:

Falënderimi i takon vetëm All-llahut, i Lavdëruar qoftë Ai, i Përhershmi që s’ka fillim, i Amshueshëmi që s’ka mbarim, Krijuesi që kur e krijoi këtë botë, ia veshi asaj petkun e përkohshmërisë dhe gjithçka në të e bëri të ketë fillim dhe mbarim! Salavat nga thellësia e zemrës i dërgojmë atij, me nurin dhe dritën e të cilit u shndërit e tërë bota. I dërgojmë përshëndetjet tona  të veçanta Muhammedit s.a.v.s. i cili me një sakrificë dhe vetëmohim të skajshëm i mësoi njerëzisë Islamin-rrugën e lumturisë. Selam dhe përshëndetje  u dërgojmë edhe  familjes së tij të ndershme, shokëve të tij besnikë-sahabëve dhe të gjithë ndjekësve të përkushtuar të rrugës së tij të ndritur, deri në Ditën e Premtuar.

Të nderuar profesorë dhe ju të dashur e të respektuar nxënës, vërtetë njeriu është i prirë që gjërat e çmueshme dhe ato që kanë rëndësi në jetën e tij, t’i  vlerësojë vetëm kur u afrohet përfundimi i tyre. Nderin dhe privilegjin që All-llahu na e bëri, shpesh nuk kemi qenë në gjendje që në mënyrë të drejtë ta vlerësojmë. Nuk ishte rastësi e as e paqëllimshme, por ishte Vullneti Hyjnor , ai i  cili na bëri të jemi pjesë e një rrugëtimi të ndritur, por edhe një hallkë në zingjirin e fuqishëm të Rrugës së Drejtë të All-llahut të Lartëmadhërishëm.

Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se çdo gjë e filluar, mbarimin e ka me vete, e ndoshta gjërat me vlerë edhe përfundimin e kanë më të shpejtë, ashtu siç e ndjejmë ne në këto momente. Por, ky është ligji i All-llahut ndër njërëz në këtë botë.

Tash, pas katër viteve e rikujtojmë qëllimin e ardhjes sonë në këtë burim të dijes, e që, pa dyshim  ishte marrja e një dije dhe edukate që, me sigurinë më të madhe, e themi që u mungon shkollave e institucioneve tjera në vend. Nuk dëshiroj t’ia ul vlerën askujt , por dëshiroj të tregoj krenarinë dhe mburrjen që kemi me këtë shtëpi të dijes dhe shkencës.

Njëherësh  duhet ta rikujtojmë faktin, vetëdijën dhe vizionin e prindërve tanë  kur ata na ndihmuan e na përkrahën që mu këtë fazë të ndjeshme të jetës sonë ta kalojmë në bankat e kësaj shkolle të ndritur.

Në këtë vend ku shpresojmë që më së miri ta kemi kuptuar se ishim të zgjedhur dhe të privilegjuar nga Ai, që ngritë dhe përzgjedh ata që Ai dëshiron.

Shpresojmë që ishim prej atyre që Allahu i përshkroi në Librin e Tij Fisnik duke thënë:

كنتم خير أمة أخرجت للناس تأمرون بالمعروف وتنهون عن المنكر وتؤمنون بالله ولو آمن أهل الكتاب لكان خيرا لهم منهم المؤمنون وأكثرهم الفاسقون                                           ( آل عمران- 110

Ju jeni populli më i (zgjedhur) dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në All-llahun. E sikur ithtarët e librit të besonin drejt, do të ishte shumë më e mirë për ta. Disa prej tyre janë besimtarë, po shumica e tyre janë larg rrugës së Zotit.”

Të nderuar nxënës dhe ju të dashur maturantë!  Ne duhet të preokupohemi për rrethin ku jetojmë,  por edhe jemi thellë të bindur njëkohësisht që jemi prej atyre që bartim të mirën për shoqërinë mbar, edhe atë  në  kohën kur janë shtuar thirrjet, zërat e shumë njerëzve  që fuqishëm propagandojnë për të mbrapshtën dhe të ligën. S’duhet harruar kurrë se Zoti i Botëve na konsideron të zgjedhur dhe të privilegjuar për faktin se ftojmë njerëzit në të mbarë, ndalojmë ata nga  e keqja dhe jemi prej besimdrejtëve. Janë këto tri elementet kryesore që merotojmë të krenohemi ne me to më shumë se me çkado tjetër.

Ne pranojmë faktin që koha në të cilën jetojmë nuk na mundëson që të jemi konsekuentë e të përkushtuar ashtu siç kishin mundësi këtë gjë ta bënin brezat e mëhershëm. Ndoshta kjo është edhe arsyeja kryesore që Muhammedi s.a.v.s. përgëzoi që shpërblimi i atyre gjeneratave të mëvonshme do të jetë më i madh edhe se ai i shokëve të tij . Sa hadith shpresëdhënës  për ne  është ky në të cilin Muhammedi s.a.v.s. po thotë:

عن أبي جمعة قال: فقلنا يا رسول الله هل من قوم هم أعظم منا أجرا, آمنا بك واتبعناك. قال:” ما يمنعكم من ذلك ورسول الله صلى الله عليه وسلم بين أظهركم يأتيكم بالوحي من السماء, بل قوم يأتون من بعدكم يأتيهم كتاب بين لوحين يؤمنون به ويعملون بما فيه أولئك أعظم منكم أجرا”

Transmetohet nga Ebu Xhumatu se ka thënë: I tham të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. A ka dikush që meriton shpërblim më të madh se sa ne që të kemi besuar dhe të kemi pasuar. Ndërsa Muhammedi s.a.v.s. ia ktheu:” Ç’farë ju pengonte juve që të mos besonit përderisa i Dërguari i All-llahut ishte në mesin tuaj, të cilit i vinte shpallja nga qielli. Po, shpërblim më të madh do të kenë ata popuj që  do të vijnë pas jush që e shohin librin e shkruar(Kur’anin) , e besojnë atë dhe veprojnë sipas tij . Të tillët  do të kenë shpërblimin më të madh se sa ju”

Prandaj, ne duhet të jemi më të zëshëm dhe më bindës në thirrjen tonë për në Rrugën e All-llahut, të jemi këmbëngulës në përcjelljen e mesazhit islam kahdo që shkojmë dhe kudo që të jetojmë, në mënyrë që sa më shumë njerëz të arrijnë që ta shijojnë kënaqësinë e asaj që ne e kemi përjetuar.

Fatmirësisht kemi kaluar nepër këto banka për këto katër vite dhe falenderojmë All-llahun që na ka bërë prej medresantëve , e ndoshta kemi shpëtuar  prej shumë sprovave të cilat e kanë kapluar rinin tonë. E përsosur, me mësimet islame, me fjalën e All-llahut e këshillën e Pejgamberit a.s., që janë formula e vetme e suksesit në jetë, por këtë sukses ne, të gjithë, do t’ia kemi borxh kësaj Medreseje dhe këtyre profesorëve, që vlerën dhe peshën po fillojmë t’ua shohim sot, kur e kuptojmë se tanimë po na ikin nga duart dhe po i takojnë vetëm të kaluarës.

Ne kemi qenë prej atyre që kemi marrë nga testamenti i Muhammedit s.a.v.s lënë gjeneratave pas tij , siq transmetohet nga Ebi Seid El-Huderiu që ka thënë:

قال رسول الله صلى الله عليه وسلم:” سيأتيكم أقوام يطلبون العلم ، فإذا رأيتموهم فقولوا لهم : مرحبًا بوصية رسول الله وأقنوهم أي -علموهم ” أخرجه ابن ماجه .

I dërguari i Allahut s.a.v.s. tha :” Do t’ju vijnë juve disa njerëz që kërkojnë diturinë, e nëse i shihin thuajuni atyre, mirëseerdhët tek testamenti i resullulahit, dhe mësoni ata” Transmeton Ibn Maxheh.

Absolutizmi i takon vetëm All-llahut, vetëm Ai është i përkryer, kështu edhe ne, domosdo, kemi mangësi. Për katër vite ndonjëherë edhe jemi kundërshtuar mes veti, jemi hidhëruar me njëri-tjetrin, kemi kërkuar anët negative të shokëve e të profesorëve tanë. Sot kur ne shohim me sytë e zemrës e jo të ballit, gjithçka duket ndryshe, shikimi kalon mbi të gjitha mangësitë, vlerat dhe virtytet e shokëve, profesorëve.

Sot kur po largohemi, për të filluar një jetë të re me kujtimin e të vjetrës, kemi kuptuar më mirë së kurrë vlerën e asaj që e lamë pas. Kujtojmë shumë herë këshillat e përsëritura të juve profesorë e edukatorë të nderuar. Nuk na mbetet tjetër veçse t’ju themi me gjithë zemër faleminderit dhe“All-llahu ju shpërbleftë për mundin tuaj”!

Për ju shokë të dashur nuk kam fjalë tjetër pos t’ju them se ne këto ditë  ndahemi nga ju, dallgët e jetës do të na hedhin në brigje të ndryshme, vetëm Zoti e di nëse do të takohemi sërish dikur, por s’kemi ne forcë ta kundërshtojmë këtë ligj te jetës. Ju lus që të paktën,  në mos më shumë, të na ruani si një kujtim të çmuar dhe kurrë  mos e harroni këtë shoqëri që e krijuam në  fragmentin më të bukur të jetës sonë.

Në fund, dëshiroj ta këshillojë vetvetën, pastaj të gjithë juve shokë që të mundohemi ta rrisim intersimin tonë në këkimin e diturisë. Përkushtojuni nxënjes së dijes dhe kultivojeni mirëfilli edukatën e lartë islame të cilën e keni marrë në këto banka shkollore.

Të marrim shembull imamët tanë të mëdhenj-prijësit e medh’hebeve , Ebu Hanifen, Malikun, Shafiun,  Ahmedin e të tjerët, – Zoti pastë qenë i kënaqur me të gjithë- e të cilët ishin shembuj tejet të rrallë të sakrificës për hir të diturisë dhe shkencës përgjatë gjithë  historisë njerëzore.

E Lusim All-llahun e Lartëmadhëruar që të jemi pasardhësit më të mirë të paraardhësve më të ndritur, si dhe lusim All-llahun që suksesi dhe begatitë e Tij të mos i mungojë këtij tempulli të dijes dhe nxënësve të saj asnjëherë, si dhe të vazhdojë  edhe më tutje të luaj rolin prijetar në mësimin e  Islamit të mirëfilltë në trojet tona edhe më gjerë deri në Amshim.

E lusim All-llahun që të gjithëve të na bashkojë rreth të mirës e të mbarës e në botën tjetër të na takojë në Xhennetin Firdevs. Amin.

Nga: :Liridon Zhegrova / kl. 13

Medreseja e mesme “Alauddin”

11.05.2012  /  Prishtinë

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin

Ndaje:

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin