Medreseja Alaudin

REAGIM

Njoftime-Uncategorized

 

Medreseja e mesme Alauddin që nga fillimi dhe tani vazhdon punën e vet në bazë të vlerave të besimit, etikës dhe të sukseseve të shumta. Misioni ynë i shenjtë ka qenë dhe vazhdon të jetë edukimi i mirëfilltë i brezave të rinj në frymën kombëtare dhe fetare.  Roli i shkollës sonë është dëshmuar  ndër vite në tërë procesin e shtetndërtimit të Kosovës, si para, gjatë, ashtu edhe pas luftës.

Duke u bazuar në vlerat tona të pakontestueshme, ne si shkollë  reagojmë fuqishëm  dhe distancohemi plotësisht nga të thënat e mysafirit, Emin Behramit, në emisionin Frontal të televizionit T7, të datës 16.10.2018. Akuzat e pretenduara në këtë emision, që edhe më shumë se pas 10 vitesh të kaluara e të trajtuara me kohë nga organet relevante, riaktualizohen me qëllime të ulëta, të padinjitetshme, janë shpifje e gënjeshtra dhe që nuk shpërfaqin realitetin  faktik  të shkollës sonë. Në të kaluarën, si edhe tani, nuk kemi asnjë shqetësim të vetëm të ngritur të natyrës së tillë nga asnjë palë; nxënës, prindër, kujdestarë, etj., përveç mysafirit të lartpërmendur.

Njoftojmë  opinion e gjerë se ky proces ka kaluar nëpër të gjitha instancat relevante të Kosovës: Medresesë, BIK-ut, DKA-së dhe MASHT-it. Me këtë rast këto institucione kanë vërtetuar të kundërtën e këtyre akuzave të ngritura, dhe si të tilla i kanë cilësuar pa bazë.

Sigurojmë opinion e gjerë se Medreseja e mesme Alauddin vazhdon të punojë me shumë dinjitet dhe krenari në edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj, si dhe në kryerjen e misionit të shenjtë kombëtar dhe fetar.

 

MM Alauddin- Prishtinë
Prishtinë, 17 tetor 2018

Ndaje: