U finalizua projekti “Keep Calm and Save Water”

Lajme dhe aktivitete-Uncategorized

Në amfitetrin e Medresesë Alauddin u mbajt finalja e projektit “Keep Calm and Save Water” projekt ky i nxënësve të kësaj shkolle.

Gara ishte për krijimin e një video sa më kreative që kishte për qëllim vetëdijësimin e qytetarëve veçanërisht të nxënësve për kursimin e ujit. Ndër të tjera me këtë projekt modest është synuar  zhvillimi i aftësive kreative te nxënësve. Prej të gjitha videove të grumbulluara 10 prej tyre u kualifikuan në finale. Vlerësimin dhe përzgjedhjen e bëri një komision i pavarur dhe profesional. Videot u vlerësuan sipas pikëve prej 1 deri në 10. Për krijimin e videove kushtet kryesore ishin:

  • Të jetë kreative.
  • Të  ketë përmbajtje edukative dhe vetëdijësuese
  • Të jetë origjinale (të mos jetë e kopjuar)

Gara është hapur nga 15 Prill deri më 26 Prill.

Pjesëmarrja në garë ishte individuale.Në këtë projekt nxënësit shfaqën ide nga më të ndryshmet për kursimin e ujit në mënyra te ndryshme.

Pas gjithë kësaj me datë 29 prill nisur nga ora 14:00 u mbajt manifestimi final për këtë projekt.

Programi u hap me fjalët e Allahut xh.sh. pra ajete nga Kur’ani fisnik të cilat I lexoi nxënësi maturant Vesel Sylejmani.

Pas kësaj pasoi fjala  e kryeimamit të BIK-ut z.Sabri Bajgora i cili vuri në theks rëndësinë e ujit dhe domosdoshmërinë  e kursimit të tij. Pastaj moderatorja ftoi për një fjalw rasti drejtorin e shkollës z.Bahri Simnica i cili nxorri në pah vlerat e këtij projekti.

Për idenë, qëllimin dhe rrjedhojën e projektit para audiencës folën Yllka Berisha dhe Erza Begolli nga klasa e 11/3.

Në këtë program të ftuar ishin edhe nxënës të shkollave të mesme të Prishtinës.

Ky aktivitet u realizua me punën e nxënësve të Medresesë “Alaud-din” në Prishtinë kurse përzgjedhja e tri videove më të mira u bë nga komisioni vlerësues.Pjesë e këtij komisioni ishin Bashkim Zabërgja , Dorlir Kraja dhe Fatos Beqiri.

Gara ishte emocionuese dhe nxënësit treguan vullnet dhe punë të mrekullueshme. Të 10 videot finaliste u shfaqën me radhë dhe në fund u zgjodhën fituesit.

Fituesit e kësaj gare ishin :

  • Vendi i parë : Maliqe Kelmendi,  klasa 10/4
  • Vendi i dytë:  Driton Luma , klasa 12/1
  • Vendi i tretë: Dardan Breznica, klasa 10/1

Në fund të programit u ndanë edhe dhuratat për videot më kreative.

Shkolla për fituesit kishte zgjedhur shpërblimet dhe këtë si në vijim:

  • Për vendin e parë:  Tablet SAMSUNG ,
  • Për vendin e dytë   : Aparat fotografik  digjital
  • Për vendin e tretë   : MP4

Medreseja Alaudin /  Prishtinë, Prill 2014

Ndaje: